Shoqatat e Transportit letër ministrave: 450 linjave u rrezikohet shërbimi nga java tjetër
Operatorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe kompensim për naftën për të shmangur kolapsin e shërbimit.
Shoqatat e transportit publik në vend kanë ngritur alarmin se rreth 450 linja të transportit qytetas, urban dhe ndërurban rrezikojnë ndërprerjen e shërbimit që nga java e ardhshme, për shkak të rritjes së kostove dhe mungesës së reagimit institucional.
Në një letër drejtuar ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, Shoqata e Transportit Qytetas dhe ajo e Transportit Urban dhe Interurban kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të përballuar situatën financiare që e cilësojnë kritike.
Kosto në rritje dhe mungesë reagimi
Sipas operatorëve, rritja e ndjeshme e çmimeve të karburantit, së bashku me kostot e mirëmbajtjes, pjesëve të këmbimit dhe detyrimeve të tjera operative, ka rënduar ndjeshëm aktivitetin e tyre. Ata theksojnë se mungesa e një përgjigjeje konkrete nga institucionet, pas takimit të zhvilluar më 1 prill, ka shtuar pasigurinë dhe e bën të pamundur vijimin normal të shërbimit.
Në vend operojnë rreth 235 kompani të licencuara që mbulojnë afro 450 linja të rregullta transporti publik, të cilat sipas shoqatave mund të preken drejtpërdrejt nëse situata nuk zgjidhet menjëherë.
Kërkohet kompensim 100 lekë për litër
Kërkesa kryesore e operatorëve mbetet miratimi i një pakete emergjente mbështetëse, e ngjashme me atë të vitit 2022, që parashikon kompensim për karburantin në nivelin 100 lekë për litër. Sipas tyre, kjo është masa minimale për të stabilizuar sektorin dhe për të shmangur reduktimin e flotës apo uljen e frekuencës së shërbimit.
Operatorët kërkojnë gjithashtu një qëndrim të qartë institucional dhe afate konkrete për vendimmarrje, duke paralajmëruar se çdo vonesë e mëtejshme e çon sektorin drejt pamundësisë reale për të garantuar shërbimin për qytetarët.
Rrezik për shërbimin publik dhe qytetarët
Shoqatat theksojnë se transporti publik është një shërbim me rëndësi të veçantë sociale dhe ekonomike, ndaj ndërprerja e tij do të ndikonte drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe funksionimin normal të aktiviteteve urbane dhe ndërurbane.
Përveç kompensimit për karburantin, operatorët kërkojnë edhe rishikimin e barrës fiskale, përfshirë akcizën, taksën e qarkullimit dhe TVSH-në, me synim uljen e kostove dhe krijimin e një strukture më të qëndrueshme për sektorin në afatgjatë.